Pas një dekade të përqendruar kryesisht te serialet për platformat digjitale dhe projektet muzikore me grupin RBD, Maite Perroni është gati të rikthehet në ekranin e vogël. Aktorja dhe këngëtarja meksikane do të jetë protagonistja e telenovelës së re “Para volver a verte”, një produksion i Rosy Ocampo për TelevisaUnivision, ku do të ndajë rolin kryesor me aktorin Jaime Camil.
Lajmi u bë i ditur gjatë prezantimit të projektit, ku u zbulua se Perroni do të interpretojë Violeta Ribero, një grua dhe nënë e tre fëmijëve, e cila beson se ka mbetur e ve pas humbjes së bashkëshortit. Përballë një realiteti krejtësisht të ndryshëm nga ai që kishte ndërtuar, ajo do të detyrohet të gjejë forcën për të përballuar vështirësitë dhe për të nisur gjithçka nga e para.
Vetë aktorja e ka pritur me emocion këtë rikthim, duke ndarë edhe një video nga prezantimi i telenovelës në rrjetet sociale. “Thonë se njeriu kthehet gjithmonë aty ku ka qenë i lumtur. Pas 10 vitesh rikthehem në vendin ku gjithçka nisi”, shkroi ajo, duke falënderuar gjithashtu producenten Rosy Ocampo për mundësinë.
Perroni e ka cilësuar Violeta-n si një personazh ndryshe nga ata që ka interpretuar më parë, duke theksuar se këtë herë bëhet fjalë për një grua më të pjekur, me përgjegjësi të mëdha familjare dhe me një rrugëtim të vështirë përpara.
Në krah të saj do të jetë Jaime Camil, me të cilin aktorja ka njohje prej rreth 17-18 vitesh, por deri më tani nuk kishin pasur mundësinë të punonin së bashku në një projekt si çift protagonistësh. Sipas Ocampo-s, ideja për t’i bashkuar të dy aktorët kishte lindur rreth tetë vite më parë, por vetëm tani u krijuan kushtet që projekti të realizohej.
Përveç interpretimit, Maite do të ketë edhe një tjetër rol në këtë produksion: ajo do të këndojë temën kryesore të telenovelës. Një surprizë e këndshme për aktoren, e cila është shprehur entuziaste për këtë përfshirje muzikore.
“Para volver a verte” pritet të nisë xhirimet më 7 dhjetor 2026 dhe do të përbëhet nga 85 episode. Premiera është planifikuar për muajin maj 2027 në televizionin meksikan Las Estrellas dhe në Univision për publikun në Shtetet e Bashkuara.
Ky rikthim shënon një kapitull të ri në karrierën e Maite Perronit, e cila pas roleve të njohura në produksione si “Rebelde”, “Cuidado con el Ángel” dhe “Antes muerta que Lichita”, do të vijë këtë herë me një histori që vendos në qendër familjen, dashurinë, sfidat personale dhe forcën për të nisur përsëri.








