Kryevepra e letërsisë turke, “Madonna me gëzof” (The Madonna in a Fur Coat), e shkrimtarit Sabahattin Ali, do të përshtatet në një film artistik. Aktorja e njohur Meryem Uzerli është konfirmuar në rolin e Maria Puder, një prej personazheve kryesore të romanit, ndërsa kërkimet për aktorin që do të interpretojë Raif Efendi janë ende në proces.
Filmi do të jetë një bashkëprodhim mes Turqisë dhe Gjermanisë, me producentë Fikri Harika Production dhe Saçaklı Film Studios. Skenari është shkruar nga Mert Dikmen, ndërsa regjinë do ta mbajë Sedat İnci. Meryem Uzerli ka nënshkruar tashmë marrëveshjen me ekipin e produksionit, duke u bërë aktorja e parë kryesore e konfirmuar për këtë projekt.
Xhirimet do të zhvillohen në Turqi dhe Gjermani, ndërsa Berlini, një prej vendeve më të rëndësishme në historinë e romanit, do të jetë një nga lokacionet kryesore të filmit. Një pjesë e konsiderueshme e skenave do të realizohet në studiot Babelsberg, një prej qendrave më të njohura dhe më të vjetra të prodhimit kinematografik në Evropë.
Ndërkohë, producentët kanë bërë të ditur se negociatat për gjetjen e aktorit që do të interpretojë Raif Efendin, personazhin tjetër kryesor të historisë, vijojnë ende. Emri i aktorit që do të ndajë ekranin me Uzerlin nuk është zbuluar deri më tani.
I botuar në vitin 1943, romani i Sabahattin Ali trajton vetminë, tjetërsimin dhe kërkimin e identitetit përmes historisë së dashurisë mes Raif Efendit dhe Maria Puderit në Berlin. Maria është një grua e fortë dhe e pavarur, e cila sfidon normat dhe rolet shoqërore të kohës.
Përshtatja kinematografike pritet të zgjojë interes të veçantë, jo vetëm tek adhuruesit e letërsisë turke, por edhe tek publiku që e njeh historinë përmes romanit të njohur ndërkombëtarisht. Detajet mbi kalendarin e xhirimeve dhe datën e premierës pritet të bëhen publike në ditët në vijim.








