Xhensila Myrtezaj shkon në gjyq, akuzohet për fshehje të të ardhurave, ja sa është shuma

Showbiz
Xhensila Myrtezaj shkon në gjyq, akuzohet për fshehje të të ardhurave, ja sa është shuma

Këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, nën akuzën e fshehjes së të ardhurave, vepër penale që sipas organit të akuzës është kryer më shumë se një herë.

Prokuroria ka përfunduar hetimet e nisura në vitin 2024 dhe ka vendosur ta kalojë dosjen për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, pasi ka konstatuar mospërputhje mes të ardhurave të deklaruara nga këngëtarja dhe transaksioneve të saj financiare.

Në njoftimin zyrtar, artistja është identifikuar me inicialet Xh.K., ndërsa hetimet janë përqendruar te burimet e financimit të disa transaksioneve të pasurive të paluajtshme, si dhe te shumat e konsiderueshme të parave cash të depozituara dhe të tërhequra nga llogaritë bankare.

Sipas Prokurorisë, këto lëvizje financiare nuk justifikohen plotësisht nga të ardhurat që këngëtarja ka deklaruar pranë autoriteteve tatimore.

Gjatë hetimeve, Xhensila ka paraqitur një deklaratë me shkrim, duke shpjeguar se paratë e depozituara vijnë nga aktiviteti i saj muzikor, përfshirë koncertet dhe performancat e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Megjithatë, organi i akuzës pretendon se dokumentacioni i dorëzuar prej saj arrin të justifikojë vetëm një pjesë të shumave të evidentuara gjatë hetimit.

Nga ekspertimi kontabël i kryer në kuadër të procedimit penal, Prokuroria ka përllogaritur një detyrim tatimor të shmangur prej 6,075,521 lekësh, ose mbi 60 milionë lekë të vjetra.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, për vitin 2023 detyrimi i pretenduar arrin në 2,417,311 lekë, ndërsa për vitin 2024 në 3,658,210 lekë.

Pikërisht fakti që detyrimet e pretenduara lidhen me dy vite të ndryshme kalendarike ka bërë që Prokuroria ta konsiderojë veprën penale të përsëritur.

Për këtë arsye, ndaj këngëtares është ngritur akuza për “Fshehje të të ardhurave”, sipas nenit 180/1 të Kodit Penal, ndërsa dosja tashmë i është kaluar gjykatës për shqyrtim.

Në procesin gjyqësor pritet të shqyrtohen provat e mbledhura nga Prokuroria, dokumentacioni financiar dhe argumentet e mbrojtjes së këngëtares.

Dërgimi i çështjes në gjyq nuk nënkupton se Xhensila Myrtezaj është shpallur fajtore. Akuzat dhe detyrimet e pretenduara do të shqyrtohen nga gjykata, ndërsa këngëtarja gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar.

Mos humbisni

Historitë që po bëjnë bujë

Lër një koment