Është nënë dhe e martuar, Jennifer Barreto bën histori në Miss Universe 2026

Lajme
Është nënë dhe e martuar, Jennifer Barreto bën histori në Miss Universe 2026

Një kurorë, një rekord i ri dhe një histori që shkon përtej bukurisë. Jennifer Barreto është emri që do të mbahet mend nga edicioni i 75-të i Miss Universe, pasi 27-vjeçarja nga Porto Riko arriti të fitojë kompeticionin, duke u bërë gruaja e parë e martuar dhe nënë që merr këtë titull.

Fitorja e saj vjen në një edicion ku konkurruan 116 përfaqësuese nga vende të ndryshme të botës, ndërsa finalja u zhvillua në San Juan të Porto Rikos. Përveç suksesit personal, Barreto i dhuroi vendit të saj një tjetër moment krenarie, duke rikthyer kurorën pas 20 vitesh. Hera e fundit që Porto Riko kishte triumfuar në këtë kompeticion ishte në vitin 2006, me Zuleyka Rivera.

Rrugëtimi i Jennifer drejt këtij suksesi është i veçantë edhe për jetën që ajo ka ndërtuar jashtë skenës. Bukuroshja është e martuar me Yan Carlos Barreto Calderon, pjesëtar i ushtrisë amerikane, dhe ka një vajzë 7-vjeçare, Penelope. Ajo është gjithashtu e diplomuar në nivel masteri në dy fusha, psikologji dhe punë sociale klinike.

Karriera e saj profesionale është përqendruar te ndihma për njerëzit në nevojë. Prej vitit 2021, Jennifer ka punuar në një program të ushtrisë amerikane në Fort Cavazos, Teksas, ku është marrë me mbështetjen e familjeve ushtarake, parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi. Përvoja në këtë fushë e ka ndihmuar të ndërtojë edhe vizionin që dëshiron të përcjellë përmes titullit të ri.

Gjatë pjesëmarrjes në konkurs, ajo ka treguar se synon ta shfrytëzojë vëmendjen ndërkombëtare për të promovuar çështje sociale dhe për të zgjeruar punën e saj në ndihmë të komuniteteve. Në përgjigjet e dhëna gjatë finales, Barreto foli edhe për sfidat që sjell zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke nënvizuar se përdorimi i saj duhet të jetë i përgjegjshëm dhe se vlerat njerëzore duhet të mbeten gjithmonë në plan të parë.

Një tjetër mesazh i saj iu drejtua grave, të cilat i inkurajoi të mos kufizohen nga pritshmëritë e të tjerëve dhe të mos heqin dorë nga asnjë pjesë e identitetit të tyre për t’iu përshtatur një modeli të caktuar.

Ndërkohë, pas Jennifer Barreto, në renditjen përfundimtare u pozicionua Melissa Nunez nga Republika Dominikane, e ndjekur nga Clara Vegas e Venezuelës. Kurora e re iu dorëzua nga fituesja e vitit të kaluar, Fatima Bosch nga Meksika.

Me këtë rezultat, Porto Riko numëron tashmë gjashtë fitore në historinë e Miss Universe, duke iu shtuar listës së fitueseve emri i Jennifer Barreto.

Mos humbisni

Historitë që po bëjnë bujë

Lër një koment