Një aksident i frikshëm automobilistik ka përfshirë gazetaren dhe prezantuesen turke Merve Dinçkol Şerifoğlu, bashkëshorten e aktorit Feyyaz Şerifoğlu, vajzën e tyre vetëm 4-muajshe, Defne Yaz, si dhe kujdestaren e vogëlushes.
Ngjarja ka ndodhur në autostradën TEM në Stamboll, ku automjeti me të cilin udhëtonin është goditur nga pas nga një kamion. Përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në makinë, duke krijuar momente paniku për personat që ndodheshin brenda saj.
Pas aksidentit, Merve, vajza e saj dhe kujdestarja janë transportuar në spital për të kryer kontrollet e nevojshme mjekësore. Fatmirësisht, të tria kanë shpëtuar me lëndime të lehta dhe, pas ekzaminimeve, janë larguar nga spitali për t’u kthyer në shtëpi.
Sipas informacioneve të bëra publike, fakti që të gjithë personat në automjet kishin vendosur rripat e sigurimit ka qenë një element i rëndësishëm në shmangien e pasojave më të rënda.
Feyyaz Şerifoğlu u nis menjëherë drejt Stambollit
Në momentin kur ndodhi aksidenti, aktori Feyyaz Şerifoğlu ndodhej në Rize. Sapo mori lajmin për ngjarjen, ai u nis drejt Stambollit me fluturimin e parë të mundshëm, për të qenë pranë bashkëshortes dhe vajzës së tij.
Fakti që Merve, vogëlushja Defne Yaz dhe kujdestarja ndodheshin jashtë rrezikut dhe kishin shpëtuar me lëndime të lehta ishte lehtësimi më i madh për aktorin dhe familjen e tij.
Feyyaz Şerifoğlu dhe Merve Dinçkol Şerifoğlu kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë në muajin qershor të këtij viti, ndërsa në korrik u bënë prindër për herë të parë, me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Defne Yaz.
Fatmirësisht, aksidenti nuk pati pasoja të rënda për familjen, ndërsa të treja të përfshirat në ngjarje janë tashmë në shtëpi.








