Një deklaratë e bërë gjatë emisionit “Goca dhe Gra” këtë të shtunë ka ndezur rrjetin dhe ka vënë në qendër të vëmendjes raportet mes dy emrave të njohur të estradës shqiptare, Jonida Maliqit dhe Rozana Radit.
E ftuar në panelin e programit, Jonida Maliqi nuk i ka shmangur pyetjet pikante rreth kolegëve. Kur u pyet se cilën artiste e konsideronte të mbivlerësuar, këngëtarja përmendi emrin e Rozana Radit, duke specifikuar se vlerësimi i saj lidhet vetëm me komponentin vokal.
Maliqi u shpreh se e vlerëson Rozanën si artiste, poete dhe aktore, si dhe për emocionin që përcjell me interpretim, por shto se vokalisht lë për të dëshiruar:
“Kur mendoj për një artiste të mbivlerësuar, më vjen në mendje një vajzë që ka qenë pjesë e këtij paneli në një nga sezonet. E vlerësoj për artisten, poeten dhe aktoren që është, por jo vokalisht; mendoj se është mbivlerësuar në këtë drejtim. E kam fjalën vetëm për vokalin. Nuk ka asgjë personale, është çështje shijeje artistike… Unë dhe Rozana kemi qenë shoqe dhe njihemi prej kohësh.”
Përgjigjja e Rozana Radit
Reagimi i Rozana Radit nuk ka vonuar. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, ajo i është përgjigjur deklaratës së Maliqit me një thumbim të drejtpërdrejtë lidhur me suksesin e këngëve dhe klikimet në rrjet:
“Sikur një këngë e jotja të merrte aq klikime sa merr një video ku përmendem unë, do të ishte film! Suksese!”
Debati mes dy artisteve, të cilat në të kaluarën kanë pasur edhe një miqësi të mirë, ka marrë vëmendje të madhe nga ndjekësit në rrjetet sociale.








