Burak Özçivit merr vendimin e papritur, premton të paguajë nga xhepi punonjësit e serialit
Aktori i njohur turk Burak Özçivit ka tërhequr vëmendjen e mediave në Turqi, pas një vendimi të marrë në mbështetje të stafit të serialit të tij më të ri, “Güneşin Doğduğu Yer” (Vendi ku lind dielli), që transmetohet në televizionin ATV.
Sipas mediave turke, producenti i serialit u ka kërkuar punonjësve të produksionit të pranojnë një ulje prej 20% të pagave, duke rrezikuar ndërprerjen e bashkëpunimit me ata që nuk e pranojnë këtë vendim.
Në këtë situatë ka ndërhyrë Burak Özçivit, i cili ka premtuar se do ta mbulojë personalisht diferencën prej 20% të pagave të punonjësve.
“Ne ekzistojmë falë ekipit tonë. Nuk do t’i lejojmë të përballen me këtë vështirësi. Do të bëjmë atë që duhet”, është shprehur aktori.
Kriza ekonomike godet serialet turke
Industria e serialeve turke po përballet me vështirësi ekonomike. Fillimisht, kompanitë e produksionit kërkuan uljen e pagave të aktorëve, por pas refuzimit të tyre, vëmendja është zhvendosur te punonjësit e prapaskenës.
Producenti i njohur Fatih Aksoy ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të mbështetur industrinë televizive, duke paralajmëruar se situata është kritike.
Ndërkohë, seriali i ri i Burak Özçivit ishte përfshirë edhe në një tjetër polemikë, pasi në një prej promove u transmetuan skena të rënda të dhunës ndaj grave, të cilat shkaktuan reagime.
Vendimi i aktorit turk, shumë të dashur edhe për publikun shqiptar, për të mbështetur financiarisht ekipin e tij vjen në një moment të vështirë për industrinë televizive turke.








