Një ndryshim i rëndësishëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset që përdorin shërbimet bankare në Shqipëri. Duke nisur nga kjo e hënë, 23 nëntor, transfertat e parave brenda vendit mund të realizohen në kohë reale, pa qenë nevoja të pritet për orarin e punës së bankave.
Banka e Shqipërisë ka vënë në funksion sistemin e ri të pagesave të menjëhershme TIPS Clone, i cili mundëson transferimin e parave në lekë dhe euro, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.
Çfarë ndryshon për qytetarët?
Risia më e rëndësishme është se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të presin orë apo ditë për përfundimin e transfertave bankare që realizohen përmes sistemit të ri.
Për të dërguar para, mjafton të përdorin aplikacionin e bankës së tyre dhe të zgjedhin opsionin e transfertës së menjëhershme, kur ky shërbim është i disponueshëm.
Një tjetër përfitim është se transfertat deri në 40 mijë lekë, të kryera përmes aplikacionit bankar, ofrohen pa komision.
Kjo do të thotë se dërgimi i parave te familjarët, pagesat për shërbime apo transfertat e përditshme mund të kryhen shumë më shpejt dhe me kosto më të ulët.
Sejko: Mbi 400 milionë euro kursime për ekonominë shqiptare
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e cilësoi nisjen e sistemit si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve financiare dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.
“Sot do të shkojmë online me sistemin TIPS Clone. Është sistem i pagesave të menjëhershme në euro dhe lekë që do të kryhen brenda vendit, në 24 orë dhe në 7 ditë të javës”, deklaroi Sejko.
Sipas guvernatorit, zgjerimi i përdorimit të pagesave elektronike pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë shqiptare, me kursime të mundshme që vlerësohen në mbi 400 milionë euro.
Sejko theksoi gjithashtu se sistemi i ri e afron Shqipërinë me standardet moderne të pagesave që aplikohen në vendet e Bashkimit Europian.
Për qytetarët dhe bizneset shqiptare, kjo nënkupton më pak pritje, transferta më të shpejta dhe një hap tjetër drejt përdorimit të shërbimeve bankare digjitale.








