Të prishi shiu pushimet? Airbnb ka një lajm të mirë për ty, ja sa para mund të marrësh

Një shi i rrëmbyeshëm gjatë pushimeve mund të prishë planet për plazh, shëtitje apo eksplorimin e një destinacioni të ri. Por Airbnb ka prezantuar një shërbim të ri që synon t’ua lehtësojë këtë shqetësim udhëtarëve, duke u ofruar kompensim financiar në rast se moti me shi ndikon në qëndrimin e tyre.

Kompania e njohur për dhënien me qira të banesave dhe apartamenteve ka prezantuar një sigurim opsional kundër kushteve të pafavorshme të motit, i cili u mundëson klientëve të marrin pagesa ditore nëse reshjet e shiut tejkalojnë kufijtë e përcaktuar në policën e sigurimit.

Si funksionon sigurimi i ri?

Shërbimi, i ofruar në bashkëpunim me kompaninë e sigurimeve Chubb, është i disponueshëm për klientët që jetojnë në 10 vende evropiane: Austri, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Irlandë, Holandë, Poloni, Spanjë dhe Suedi.

Sigurimi mund të përfshihet si një opsion shtesë gjatë rezervimit të akomodimit dhe mbulon udhëtime brenda dhe jashtë vendit, megjithëse nuk aplikohet për destinacionet në çdo shtet.

Në varësi të kushteve të policës, udhëtarët mund të përfitojnë nga 50 deri në 1,000 euro në ditë, nëse reshjet arrijnë të paktën 1.5 milimetra brenda një ore, gjatë intervalit nga ora 08:00 deri në 20:00. Gjithashtu, duhet të plotësohet numri minimal i orëve me reshje të përcaktuar në kontratën e sigurimit.

Kushtet e përfitimit dhe shuma e kompensimit ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Një tjetër lehtësi është se procesi i monitorimit të motit kryhet automatikisht, përmes burimeve si NASA, Qendra Evropiane për Parashikimet e Motit me Afat të Mesëm (ECMWF) dhe Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA). Kjo do të thotë se klientët nuk kanë nevojë të paraqesin prova apo të bëjnë kërkesë manuale për kompensim. Ata njoftohen nëse plotësojnë kushtet për të marrë pagesën.

Airbnb nuk është e vetmja kompani që ofron këtë shërbim

Një shërbim të ngjashëm ofron edhe kompania WeatherPromise, e themeluar në vitin 2022, e cila siguron udhëtarët kundër reshjeve të tepërta gjatë pushimeve.

Përmes kësaj skeme, klientët përcaktojnë adresën e hotelit ku do të qëndrojnë, datat e udhëtimit dhe shumën që dëshirojnë të sigurojnë. Nëse reshjet tejkalojnë nivelin e rënë dakord, kompensimi kryhet automatikisht.

Me këtë risi, Airbnb synon t’u ofrojë udhëtarëve një alternativë shtesë për të mbrojtur shpenzimet e pushimeve, veçanërisht kur zgjedhin destinacione ku moti mund të ndikojë ndjeshëm në planet e tyre. Megjithatë, sigurimi është opsional dhe kompensimi varet nga kushtet specifike të policës.

YOU MAY ALSO LIKE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *