Një vit pas ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, Luiz Ejlli ka reaguar me një postim prekës në Instastory, duke e vënë fokusin te i biri i ndjerë, Roeli.
Përmes një fotografie arkivore ku shfaqet Shpat Kasapi i buzëqeshur pranë bashkëshortes dhe djalit të vogël pranë një torte ditëlindjeje me mbishkrimin “Gëzuar ditëlindjen Roel”, Luizi ka ndarë ndjesitë e tij si prind. Ai ka vënë në pah vështirësitë që vogëlushi kalon për shkak të gjendjes shëndetësore, të cilave tani u shtohet edhe mungesa e babait.
Në mesazhin e tij të plotë, Ejlli shkruan:
“1 vit nga largimi i Shpat Kasapit, si prind mendja më shkon te Roeli i vogël. Një fëmijë që, përveç sfidave që përballon çdo ditë për shkak të situatës shëndetësore, tani po rritet edhe me mungesën e babait.
Uroj me gjithë zemër që jeta të tregohet e butë me ty, Roel! Qofsh gjithmonë i rrethuar nga dashuria, kujdesi dhe mirësia e njerëzve.
Zoti të dhëntë ty dhe mamit tënd gjithë forcën e botës.”

Reagimi i Luizit ka tërhequr vëmendje për ndjeshmërinë dhe solidaritetin prindëror, duke sjellë në qendër të vëmendjes kujdesin dhe mbështetjen që i nevojiten të birit të këngëtarit dhe nënës së tij në këtë përvjetor të dhimbshëm.








