RTSH sjell në sezonin e ri një paketë të re serialesh ndërkombëtare, ku spikasin për herë të parë në ekranin e transmetuesit publik edhe premiera turke me disa prej aktorëve më të njohur të serialeve turke.
Në listën e titujve të rinj janë “Aşkı Hatırla”, me Hande Erçel dhe Barış Arduç, “Aynadaki Yabancı”, me Onur Tuna, dhe “El Turco”, ku protagonist është Can Yaman. Paketa plotësohet nga produksionet europiane “Hunyadi – Rise of the Raven” dhe “Máxima”.
Lëvizja e RTSH-së vjen në një treg ku serialet turke kanë një audiencë të konsoliduar në Shqipëri, ndërsa KLAN prej vitesh mban një pozicion shumë të fortë në këtë kategori dhe ka ndër audiencat më të mëdha për serialet turke.
Duket se suksesi i kësaj formule ka ndikuar edhe te kanalet e tjera. Vizion Plus ka shtuar gjithashtu serialet turke në ofertën e tij, ndërsa tani edhe RTSH po i bashkohet këtij trendi, duke sjellë tituj të rinj dhe premiera turke në ekranin publik.
Me këtë paketë, RTSH duket se synon të zgjerojë ofertën e serialeve dhe të konkurrojë me një zhanër që prej vitesh ka rezultuar ndër më të ndjekurit nga publiku shqiptar.
Këtë sezon, serialet turke marrin një tjetër hapësirë në televizionet shqiptare.

