Bota e futbollit është tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e mesfushorit të Mamelodi Sundowns dhe kombëtares së Afrikës së Jugut, Jayden Adams. Futbollisti ishte vetëm 25 vjeç dhe kishte përfaqësuar vendin e tij në Kupën e Botës 2026 vetëm pak javë më parë.
Lajmi i rëndë u konfirmua nga ministri i Sportit, Artit dhe Kulturës në Afrikën e Jugut, Gayton McKenzie, i cili e cilësoi humbjen e Adams si një goditje të madhe për futbollin e vendit.
“Futbolli i Afrikës së Jugut ka humbur një nga talentet e tij më të ndritur. Kombi ynë është në zi së bashku me familjen, shokët e skuadrës dhe miliona tifozët që e panë të rritej nga një lojtar premtues në një futbollist të kombëtares”, u shpreh McKenzie.
Shkaqet e vdekjes së 25-vjeçarit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa ministri u bëri thirrje mediave dhe publikut të mos përhapin spekulime dhe të respektojnë privatësinë e familjes së lojtarit.
Adams ishte aktivizuar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve të Afrikës së Jugut në Kupën e Botës 2026. Ai luajti edhe në barazimin 1-1 ndaj Republikës Çeke, vetëm një ditë pasi kishte mësuar lajmin për ndarjen nga jeta të gjyshes së tij.
Mesfushori ishte gjithashtu pjesë e fitores 1-0 ndaj Koresë së Jugut, rezultat që i siguroi Afrikës së Jugut për herë të parë një vend në fazën me eliminim direkt. Udhëtimi i kombëtares u ndërpre më pas pas humbjes ndaj Kanadasë.
Edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë të Afrikës së Jugut reagoi pas lajmit, duke u shprehur e shkatërruar nga humbja e tij.
“Jayden përfaqësoi së fundmi Afrikën e Jugut në Kupën e Botës, duke mbajtur mbi supe shpresat e një kombi me krenari dhe guxim. Futbolli ka humbur një lojtar të talentuar dhe një të ri që kishte ende shumë për të dhënë”, thuhej në reagim.

