Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme opinionin publik, pasi gazetari Elton Tozaj është dhunuar rreth orës 19:30 në autostradën Tiranë–Durrës. Rrethanat e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa familjarët e tij kanë reaguar publikisht duke e cilësuar ngjarjen si jashtëzakonisht shqetësuese.
Sipas deklarimeve të familjes, Tozaj është sulmuar nga disa persona dhe dhuna e ushtruar ndaj tij ka qenë e rëndë, duke i shkaktuar dëmtime serioze fizike. Ata pretendojnë se autorët janë tashmë të identifikuar dhe kërkojnë që organet kompetente të veprojnë sa më shpejt për t’i vënë para drejtësisë.
Gazetari ndodhet aktualisht nën kujdes intensiv mjekësor dhe gjendja e tij shëndetësore raportohet si e rënduar. Familjarët shprehen se situata është delikate, pasi Tozaj po lufton për të mos humbur shikimin, çka e bën edhe më alarmante këtë episod dhune ndaj një përfaqësuesi të medias.

