Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ndalimi njëvjeçar i platformës TikTok nuk do të zgjasë, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me platformën. Deklarata u bë gjatë një interviste për Politico, ku Rama shpjegoi se ndalimi i vendosur para zgjedhjeve të 11 majit kishte si qëllim kryesor ndërtimin e marrëdhënies me TikTok-un, dhe jo frenimin e dhunës në shkolla.
“Jam i kënaqur me bashkëpunimin dhe qëndrimin e tyre. Në javët ose muajt e ardhshëm do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar”, tha Rama, duke u shprehur i befasuar nga reagimi i platformës pas vendimit të Shqipërisë për bllokimin e TikTok.
Shqipëria vendosi ndalimin e TikTok në mars të vitit 2025 pas disa ngjarjeve shqetësuese, përfshirë raste të dhunës online dhe dy vetëvrasje të lidhura me ngacmimin në platformë. Incidenti i fundit, goditja fatale me thikë e një djali 14-vjeçar pas një mosmarrëveshjeje online, nxiti vendimin e qeverisë për të bllokuar aksesin.
Megjithatë, raportet e mediave lokale tregojnë se ndalimi pati pak efekt në frenimin e dhunës në shkolla, por Rama e vlerëson si të suksesshëm për krijimin e mekanizmave mbrojtës dhe partneritetin me TikTok.
Qeveria nuk ka ndërmend të vendosë kufizime shtesë mbi përdorimin e mediave sociale nga të miturit, një temë që është aktualisht në diskutim në kryeqendrat e BE-së. Rama e ka vendosur vitin 2030 si objektiv për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Pa një zbulim të plotë të autorëve të sulmeve online, do të jesh gjithmonë viktimë e trollëve dhe robotëve. Kufizimet nuk funksionojnë”, tha kryeministri Rama, duke përjashtuar mundësinë e ndalimeve të tjera të platformave sociale.

