Princi Leka ka uruar të bijën, Geraldinën, me rastin e ditëlindjes, përmes një mesazhi të ndjerë, ku shpreh dashurinë, krenarinë dhe dëshirën për ta shoqëruar në çdo etapë të jetës. “Rritu e lumtur, bija ime!
Çfarëdo që të sjellë jeta, do ta zbulojmë bashkë, hap pas hapi”, shkruan ai, duke i uruar shëndet, dashuri, paqe dhe lumturi. Në mesazhin e tij, Princi i premton së bijës se, pavarësisht viteve që kalojnë dhe rrugës që do të zgjedhë, do të ketë gjithmonë një dorë të shtrirë dhe një zemër që do ta presë.
Geraldina është fëmija i parë i Princ Lekës nga martesa me aktoren Elia Zaharia, e cila u zgjidh zyrtarisht në prill të vitit 2024. Ndarja e çiftit u shoqërua me përplasje familjare që morën vëmendje të gjerë mediatike.
Pak muaj më parë, Princi Leka u bë baba për herë të dytë, nga martesa me fotografin Blerta Celibashi. Çifti u bë prindër i një djali, të cilit i vunë emrin Aleksandër.
Ndërsa familja e tij ka marrë një tjetër drejtim, urimi për Geraldinën dëshmon lidhjen e veçantë të Princ Lekës me të bijën, të cilës i përcjell një mesazh dashurie dhe mbështetjeje të pakushtëzuar.
Mesazhi i plotë:
E dashura ime Geraldinë,
Mes krenarisë për vajzën që po bëhesh dhe mallit për çdo etapë që lëmë pas, kuptoj gjithnjë e më shumë se sa i çmuar është çdo çast që kalojmë së bashku në këtë rrugëtim të jetës…
Uroj që Zoti të të ruajë, të të udhëheqë drejt së mirës dhe të të dhurojë një jetë të mbushur me shëndet, dashuri, paqe dhe njerëz që ta vlerësojnë zemrën tënde. Uroj që të mos të mungojë kurrë arsyeja për të buzëqeshur, as forca për t’u ngritur kur jeta të vërë në provë.
Dhe, pavarësisht se sa vite do të kalojnë, sa e madhe do të bëhesh apo sa larg do të të çojnë ëndrrat e tua, dua ta dish se do të kesh gjithmonë një vend ku mund të kthehesh, një dorë që do të të presë dhe një zemër që do të jetë gjithmonë e jotja.
Rritu e lumtur, bija ime! Çfarëdo që të sjellë jeta, do ta zbulojmë bashkë, hap pas hapi.
Të dua më shumë nga sa mund të të shpjegoj sot, dhe ndoshta më shumë nga sa do të mund të të shpjegoj ndonjëherë me fjalë…
Me gjithë dashurinë dhe krenarinë e një prindi të bekuar që të ka ty,
Babi ❤️

