Humb jetën në moshë të re aktorja e “Rebelde”, familja zbulon betejën e saj të fundit

Aktorja dhe këngëtarja braziliane Lua Blanco, e cila u bë e njohur për publikun përmes rolit të Robertës në serialin “Rebelde Brazil”, është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare. Artistja vuante nga kanceri, me të cilin ishte përballur gjatë muajve të fundit të jetës.

Lajmi u bë i ditur nga familja e saj përmes një deklarate në rrjetet sociale, ndërsa vëllai i aktores, Daniel Blanco, ndau një mesazh prekës për humbjen e së motrës.

Ai bëri të ditur se Lua i kaloi ditët e fundit e rrethuar nga dashuria e familjarëve dhe miqve të saj, duke u larguar nga kjo jetë në paqe.

“Ajo u largua e rrethuar nga dashuria dhe me besimin e plotë se po shkonte drejt duarve të Zotit. Do të jetë përgjithmonë me ne, duke na ndriçuar me dritën e saj të përjetshme”, shkroi Daniel.

Edhe motra e saj, Ana Terra, reagoi pas lajmit të trishtë, duke ndarë dhimbjen për humbjen e artistes. “Jeta është e shkurtër. Të dua, motër. Do të mbetesh përgjithmonë me ne”, shkroi ajo.

Lajmi ka prekur edhe personazhe të njohur të ekranit brazilian, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen e Lua Blancos.

E lindur më 5 mars 1987 në São Paulo, Lua Blanco nisi të tërhiqte vëmendjen e publikut përmes roleve në produksione të ndryshme televizive. Megjithatë, ishte personazhi i Robertës në serialin “Rebelde Brazil”, në vitin 2011, ai që i dha famë të madhe dhe e bëri të njohur për një numër të gjerë shikuesish.

Gjatë karrierës së saj, ajo u shfaq edhe në serialet “Malhação”, “Três Irmãs”, “Pecado Mortal” dhe “A Força do Querer”. Krahas aktrimit, Lua ishte e angazhuar në muzikë si këngëtare dhe kompozitore, si dhe në shkrim.

Me kalimin e viteve, artistja vendosi t’i kushtonte më shumë kohë karrierës muzikore, duke u tërhequr pjesërisht nga telenovelat.

Lamtumira për Lua Blanco do të mbahet në Rio de Janeiro, ndërsa fansat do ta kujtojnë përmes personazheve që interpretoi dhe veçanërisht si Roberta, një nga figurat më të spikatura të “Rebelde Brazil”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *