Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me aktorin britanik Callum Turner në një ceremoni intime të zhvilluar në Londër.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, çifti kurorëzoi dashurinë e tyre më 31 maj në ambientet e njohura të Old Marylebone Town Hall, në prani të familjarëve dhe miqve më të afërt.
Në fotot e publikuara nga mediat britanike, Dua Lipa shfaqet e veshur me një fustan klasik të bardhë me detaje elegante, të kompletuar me një kapele të madhe dhe doreza të bardha, ndërsa mbante në duar një buqetë me lule të verdha. Nga ana tjetër, Callum Turner u paraqit me një kostum blu të errët dhe kravatë në të njëjtën nuancë.



Romanca mes çiftit u bë publike në fillim të vitit 2024, ndërsa në korrik 2025 Dua Lipa konfirmoi fejesën e tyre në një intervistë për revistën britanike Vogue. Në atë kohë, artistja e përshkroi lidhjen me Turner si një ndjenjë shumë të veçantë dhe shprehu dëshirën për të ndërtuar jetën së bashku me të.
Martesa vjen pas më shumë se dy vitesh lidhjeje, duke shënuar një kapitull të ri në jetën personale të një prej artisteve më të suksesshme në botë me origjinë shqiptare.

