Këtë të martë Tomi dhe Ade me origjinë nga Nigeria, por që prej vitesh jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, vendosën të thonë “Po” përgjithmonë në qytetin e Vlorës në Shqipëri.
Ndonëse jeta e tyre ka qenë e ndarë në disa shtete, dyshja vendosi që dasmën ta bëjë në bregdetin shqiptar, një zgjedhje e bërë me bindjen se këtu do të festonin dhe do të gëzonin siç duhet në një ditë të rëndësishme si ajo e martesës.
Bukuria e këtij vendi, moti perfekt, eksperiencat e mëparshme të miqve të tyre e bindën dyshen se këtë moment duhet ta kremtonin me patjetër në Shqipëri sepse shumë eksponentë ishin bërë bashkë.
Ata ishin sot të ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ku të pyetur nga Bieta Sulo rreth traditave të vendit të tyre, çifti tregoi se për të bërë martesën duhet që familja e nuses ta mbështesë plotësisht.
Ata shtuan se në dasmat nigeriane mund të ketë deri në 1200 të ftuar dhe se edhe nëse nuk i fton në dasmë ata do të jenë prezent.
Tomi dhe Ade shtuan se të dyja familjet shkëmbejnë dhurata, mes tyre edhe një lopë pak para dasmës.
Mes shumë bukurish dhe tiparesh të shqiptarëve ata veçuan mikëpritjen!

