Formula 1 do të rikthejë distancën standarde prej 305 kilometrash për garat e Çmimeve të Mëdha në sezonin 2028. Vendimi vjen pasi për sezonin 2027 ishte parashikuar shkurtimi i distancës maksimale me 15 kilometra, nga 305 në 290 kilometra.
Ndryshimi lidhet me rregullat e reja teknike dhe motorët hibridë të prezantuar në vitin 2026, të cilët kanë një ndarje pothuajse të barabartë mes fuqisë elektrike dhe asaj me djegie të brendshme. Kjo risi ka sjellë kritika nga pilotët, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin e teknologjisë së re në rolin e aftësive të tyre gjatë garës.
Sipas planit, raporti i fuqisë së motorëve do të ndryshojë gradualisht, duke arritur në rreth 60% fuqi nga motori me djegie të brendshme dhe 40% nga sistemi elektrik deri në vitin 2028. Kjo do t’u mundësojë pilotëve të përdorin fuqinë maksimale për periudha më të gjata, por do të rrisë edhe konsumin e karburantit.
Pikërisht konsumi i karburantit u kthye në një shqetësim për disa skuadra që po shqyrtonin përdorimin e të njëjtës shasi edhe në sezonin 2027, për të ulur kostot. Meqenëse depozita e karburantit është pjesë e shasisë, kapaciteti i saj nuk mund të ndryshohej lehtësisht, duke rrezikuar që disa makina të mos kishin karburant të mjaftueshëm për të përfunduar garat në distancën standarde.
Megjithatë, shkurtimi i distancës do të prekë vetëm disa gara ku konsumi i karburantit është veçanërisht i lartë. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka përfshirë rikthimin e distancës prej 305 kilometrash në rregulloret për vitin 2028.
Një nga pilotët që kishte kundërshtuar shkurtimin e garave është Lewis Hamilton. Shtatë herë kampioni i botës argumentoi se garat duhet të jenë më të gjata, pasi pilotët po përballen me më pak vështirësi fizike se më parë.
Hamilton veçoi Çmimin e Madh të Singaporit si një prej garave më të vështira për shkak të temperaturave të larta dhe kërkesave të mëdha fizike.
Sipas pilotit britanik, Formula 1 duhet të mbetet një sport që i vë garuesit në kufijtë e aftësive të tyre, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht.
Kështu, pas një sezoni me distancë të reduktuar në vitin 2027, Formula 1 pritet të rikthehet në formatin standard të garave në vitin 2028.

