Uzuni shpërthen në lot pas humbjes në Poloni: Duhet të presim 4 vite për Botërorin

Pas disfatës 2-1 ndaj Polonisë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, nuk arriti të mbajë emocionet, duke shpërthyer në lot në përfundim të sfidës.

Në prononcimin për “DigitAlb”, Uzuni u shpreh i zhgënjyer për rezultatin, duke theksuar se kuqezinjtë meritonin më shumë nga kjo përballje vendimtare.

“Jemi shumë të mërzitur. Kemi bërë një udhëtim shumë të mirë dhe meritonim më shumë. Kishim dy raste për të kaluar në avantazh, por ky është futbolli,” u shpreh sulmuesi.

Ai shtoi se, pavarësisht krenarisë për rrugëtimin e ekipit, humbja lë një shije të hidhur pasi u humb një mundësi e artë për të bërë krenarë të gjithë shqiptarët.

“Trajneri tha që ishte shumë krenar me ne. Edhe ne jemi krenarë, por kishim mundësinë për të bërë të gjithë shqiptarët krenarë. Tani duhet të presim 4 vite për të arritur sërish këtu. Të gjithë donim të shkonim në Botëror,” përfundoi Uzuni.

Humbja në Poloni i shuan shpresat Shqipërisë për një kualifikim historik në Kupën e Botës, duke lënë gjithçka për një tjetër cikël të gjatë pritjeje.