Rozana Radi zbulon prapaskenën e fortë: Kënga ishte shitur dy herë

Rozana Radi ka zbuluar për herë të parë detaje të forta rreth debatit të përfolur me Rezarta Shkurta, duke treguar se u detyrua të tërhiqej nga publikimi i një projekti muzikor pasi mësoi se kënga ishte shitur dy herë nga kompozitori.

E ftuar në emisionin Goca dhe Gra, këngëtarja tregoi se gjithçka nisi në muajin janar, kur DJ Iliano i propozoi një projekt muzikor që më vonë rezultoi të ishte një këngë e Rezarta Shkurtës.

Sipas Rozanës, para se të pranonte bashkëpunimin, ajo ishte siguruar që të gjitha të drejtat e autorësisë dhe dokumentacioni ligjor të ishin në rregull. Madje, kënga ishte përgatitur si remix dhe ishte performuar publikisht më 14 shkurt në qendër të Tiranës.

Por situata mori një kthesë të papritur gjatë përgatitjeve për videoklipin.

“Kisha investuar për projektin dhe videoklipi ishte gati, por kur kërkova të verifikoja edhe një herë dokumentacionin, kuptova se kënga ishte shitur dy herë nga kompozitori”, u shpreh Rozana.

Pas zbulimit të problemit me të drejtat e autorit, artistja vendosi të tërhiqej plotësisht nga publikimi i projektit, pavarësisht investimit të bërë.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje artistëve që të tregohen shumë të kujdesshëm me kontratat dhe dokumentacionin ligjor për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Deklarata e Rozana Radit ka rikthyer menjëherë vëmendjen tek raporti i saj me Rezarta Shkurtën dhe prapaskenat që kanë shoqëruar këtë projekt muzikor, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.