“Me Olsi Bylykun…”/ Egli Tako flet për bashkëpunimin me ish partnerin e saj

Këngëtarja dhe ish-banorja e “Big Brother VIP”, Egli Tako, ka folur hapur për një nga projektet më të rëndësishme të karrierës së saj muzikore, duke rikthyer në vëmendje bashkëpunimin me ish-partnerin, Olsi Bylyku.

E ftuar në emisionin “Top Arena”, Egli u pyet për këngën që realizoi me Olsin, një projekt që rezultoi një sukses i madh dhe që përkon edhe me periudhën kur dyshja ishin në një lidhje dashurie.

Pavarësisht se rrugët e tyre janë ndarë prej kohësh, këngëtarja u shpreh me shumë respekt dhe mirënjohje për atë bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë që pati në fillimet e saj në muzikë.

“Do flisja përgjithmonë me shumë mirënjohje dhe kënaqësi për këtë material muzikor, pasi ka qenë materiali i parë. Të gjithë artistët e dinë se jo çdo material që lançojnë arrin të prekë një masë të madhe të popullit. Ky ka qenë materiali im i parë që arriti të prekë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, ku do që ishin. Shumë mirënjohje ndaj projektit dhe artistit në fjalë gjithashtu”, u shpreh Egli.

Deklarata e saj u komentua gjerësisht në rrjet, pasi tregon se, pavarësisht historisë së tyre personale, ajo vazhdon ta vlerësojë profesionalisht Olsi Bylykun dhe ndikimin që ai pati në nisjen e karrierës së saj.

Pas eksperiencës në “Big Brother VIP”, Egli Tako ka vijuar të jetë aktive në muzikë, duke publikuar projekte të reja solo dhe bashkëpunime që janë pritur pozitivisht nga publiku, duke forcuar edhe më tej pozicionin e saj në tregun muzikor shqiptar.