Humbja e nënës i ndryshoi jetën, Pirro Çako emocionon publikun në skenën e X Factor Kids

Nën dritat e skenës së “X Factor Kids”, Pirro Çako nuk ishte vetëm mentor i talentëve të rinj, por edhe një baba dhe djalë i ndikuar nga kujtimet e thella familjare. Në debutimin e netëve live, këngëtari nuk mundi të fshihte emocionet teksa rrëfeu për dëshirën që nëna e tij të ishte aty për të ndarë këtë moment të veçantë.

“Patjetër që jam i lumtur. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua dhe e kisha të nevojshme që të isha në një aktivitet të tillë pas një periudhe të vështirë. Do të doja shumë që mamaja ime të shihte këtë sonte, ishte një nga dëshirat e saj, por ajo nuk mundi dot. Gjithsesi, ajo na shikon nga lart dhe na jep forcë,” u shpreh Çako.

Moderatorja Alketa Vejsiu shtoi se puna në skenë shpesh shërben si një terapi: “Kjo punë na shpëton në një farë mënyre; na lehtëson plagët dhe na ndihmon të gjejmë forcë në momentet më të vështira.”

Pirro Çako e pranoi me emocion: “Patjetër! E kemi këtë avantazh.”

X Factor Kids nisi sonte netët live në TV Klan dhe do të transmetohet çdo të premte në drejtimin e Alketa Vejsiut dhe regjisë së Vera Grabockës. Momenti i ndjerë i këngëtarit dhe lidhja e tij me familjen e bëri debutimin e netëve live një nga më të veçantët në historinë e programit.