Humbja 2–1 përballë Polonisë në stadiumin e Varshavës duket se ka vulosur fatin e trajnerit Sylvinho në krye të Kombëtares shqiptare. Edhe pse kontrata e tij zyrtarisht përfundon në korrik, gjithçka lë të kuptohet se rrugëtimi i brazilianit në stolin kuqezi ka hyrë në fazën e fundit.
Disfata në një ndeshje vendimtare për ëndrrën e Botërorit 2026 jo vetëm që i dha fund shpresave për kualifikim, por njëkohësisht shënoi edhe mbylljen e një cikli që nisi me shumë pritshmëri në fillim të vitit 2023.
Sylvinho mori drejtimin e ekipit kombëtar në një moment delikat dhe arriti të rikthejë entuziazmin, duke kulmuar me kualifikimin historik në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, suksesi më i madh i tij në krye të kuqezinjve. Pikërisht kjo arritje bëri që Federata Shqiptare e Futbollit t’i besonte vazhdimësinë, duke i zgjatur kontratën me 6 muaj, me synimin e qartë për të tentuar një biletë në Botëror.
Megjithatë, eliminimi nga gara pas humbjes ndaj Polonisë ka ndryshuar gjithçka. Një tjetër rinovim tashmë duket i pamundur dhe largimi i tij konsiderohet vetëm çështje kohe.
Trajneri brazilian pritet të drejtojë skuadrën edhe në sfidën e radhës ndaj Ukrainës, më 31 mars, një ndeshje që nuk pritet të ndikojë në të ardhmen e tij. Ndërkohë, në muajin qershor Kombëtarja shqiptare ka në program edhe dy ndeshje miqësore, të cilat pritet të jenë të fundit për Sylvinhon në pankinën kuqezi.
Sinjalet për largimin i ka dhënë edhe vetë tekniku në konferencën për shtyp pas ndeshjes në Varshavë, duke lënë të hapur mundësinë e një fundi të afërt të bashkëpunimit.
Federata Shqiptare e Futbollit pritet të nisë së shpejti kërkimet për një trajner të ri, i cili do të marrë drejtimin e ekipit me objektivin për të ndërtuar një projekt afatgjatë dhe për t’u përgatitur për eliminatoret e Kampionatit Europian 2028.
Pavarësisht fundit të hidhur në këto kualifikuese, periudha e Sylvinhos do të mbahet mend për rritjen e ndjeshme të imazhit të Kombëtares dhe suksesin në arenën europiane. Megjithatë, objektivi i madh – kualifikimi në Kupën e Botës – mbetet ende një sfidë e parealizuar për Shqipërinë.

