Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar publikisht pas lajmeve të publikuara në disa media dhe portale, ku aludohej për përfshirjen e saj në një skemë të dyshuar të pastrimit të parave.
Pretendimet e shpërndara së fundmi lidhen me një aktivitet tregtar në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku sipas raportimeve është përmendur emri i artistes në lidhje me një qendër dermoestetike. Megjithatë, Myrtezaj i ka cilësuar këto publikime si të pavërteta dhe keqinformuese.
Përmes një deklarate të publikuar në llogarinë e saj në Instagram, këngëtarja ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në çështjen e përfolur, duke theksuar se emri i saj është përdorur pa asnjë bazë faktike.
“Sqaroj qartë se nuk jam subjekt i asnjë hetimi nga SPAK”, është shprehur ajo, duke nënvizuar se çdo pretendim në të kundërt është i rremë dhe dëmton figurën, dinjitetin dhe reputacionin e saj.
Në reagimin e saj, artistja u ka bërë apel mediave dhe portaleve që të verifikojnë informacionin përpara publikimit, në mënyrë që të shmanget përhapja e lajmeve të pasakta.
Në të njëjtën kohë, Xhensila Myrtezaj ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ndaj kujtdo që vazhdon të publikojë shpifje apo informacione të pavërteta që cenojnë imazhin e saj.

