Prej më shumë se tre javësh, platforma X Media, e krijuar nga Donald dhe Romeo Veshaj, nuk ka publikuar asnjë përmbajtje të re, duke shtuar pikëpyetjet mes ndjekësve për të ardhmen e projektit.
Emisioni i fundit i transmetuar ishte “Më Lër Ta Mbaroj”, i publikuar më 13 qershor. Edhe pse në fund të episodit u la të kuptohej se programi do të rikthehej javën pasuese, që prej asaj dite nuk ka pasur asnjë transmetim të ri dhe as ndonjë njoftim zyrtar për arsyet e kësaj pauze.
Ndërkohë, vëllezërit Veshaj kanë qenë në fokus edhe për zhvillime të tjera. Gjatë muajit maj u raportua se Donald Veshaj, së bashku me partnerët e tij në biznes, kishte paraqitur një kërkesë për leje zhvillimi për ndërtimin e një kulle 33-katëshe në Vlorë.
Në të njëjtën kohë, sipas raportimeve të Prive by Liberta Spahiu, brenda X Media po ndodhin lëvizje në staf. Burimet bëjnë me dije se disa anëtarë të ekipit nuk do të vazhdojnë më bashkëpunimin me platformën, duke lënë të kuptohet se ndërprerja e programacionit mund të jetë pjesë e një ristrukturimi të brendshëm.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Donald apo Romeo Veshaj për situatën, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një pushim të përkohshëm apo për ndryshime më të thella në funksionimin e platformës.

