Can Yaman habit fansat, zbulon origjinën shqiptare: Gjyshërit e mi flisnin shqip

Can Yaman zbulon origjinën shqiptare, aktori turk rrëfen emocionueshëm historinë e familjes së tij

Aktori i njohur turk Can Yaman ka zbuluar për herë të parë publikisht origjinën e tij shqiptare gjatë një eventi të veçantë të mbajtur në Piana degli Albanesi, e njohur ndryshe si Hora e Arbëreshëve, një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh në Itali.

Protagonisti i serialit të ri Sandokan ishte i ftuari special i festivalit, ku mori edhe vlerësimin simbolik “Premio Hora Skanderbeg”, si shenjë e lidhjes së tij me kulturën shqiptare dhe ndikimit që ka tek publiku arbëresh.

Në një intervistë për mediat italiane, Can Yaman tregoi se nëna e tij është nga Kosova, ndërsa babai i tij vjen nga diaspora shqiptare që u vendos në Turqi shumë vite më parë.

“U rrita në Suadiye, një lagje banimi në anën aziatike të qytetit, me fusha futbolli dhe basketbolli për djem. Është një zonë e banuar nga emigrantë të gjeneratës së dytë dhe të tretë, si gjyshërit e mi me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata flisnin shqip mes tyre”, u shpreh aktori.

Atmosfera u bë edhe më emocionuese kur Yaman ndau kujtime personale për babain e tij, të cilin e quajti “idhulli më i madh” në jetën e tij.

“Babai im më tregonte për fëmijërinë e tij, që e jetonte si një shqiptar, me shumë liri dhe duke u rritur mes shoqërisë”, tha aktori mes emocionesh, ndërsa publiku e priti me duartrokitje të gjata.

Deklarata e Can Yaman ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, sidomos mes fansave shqiptarë dhe komunitetit arbëresh, të cilët e cilësuan këtë moment si një nga më prekësit e festivalit.