Edi pas eliminimit: Me Dolcen ishte vetëm lojë, po del keq në publik

Eduard Kuçi ka reaguar publikisht pas eliminimit nga “Big Brother VIP Kosova 4”, duke folur hapur për eksperiencën e tij brenda shtëpisë më të famshme dhe për raportet që ka pasur me disa nga banorët, përfshirë edhe Dolcen.

Gjatë një interviste të fundit, Edi ka komentuar afrimitetin që Dolce ka krijuar gjatë lojës me Lim Hotin, ndërkohë që edhe vetë ai kishte pasur një raport të afërt me të. Sipas Kuçit, mënyra se si ajo është shfaqur në publik nuk ka qenë pozitive për imazhin e saj.

“Në sytë e mi nuk është mirë, sepse del keq në publik. Një herë me njërin, një herë me tjetrin. Në kuadër të lojës është mendjelehtë. Femër është e bukur, edhe ‘live’ e ka bukurinë. Në shtëpi është vajza më e bukur dhe ka personalitet”, u shpreh Kuçi.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, një femër duhet të ruajë respektin për veten edhe brenda një loje si “Big Brother”.

“Gjithë ajo femër me e lëshu veten ashtu, vetëm atë e kam parë. Edhe në lojë, femra duhet me mbajt veten, duhet me pas respekt për veten. S’bëhen ato gjeste”, deklaroi ai.

Edi zbuloi gjithashtu se Dolcen e njihte edhe para hyrjes në “Big Brother VIP Kosova”, duke theksuar se afrimiteti dhe emocionet e shfaqura brenda shtëpisë kanë qenë pjesë e lojës dhe jo ndjenja reale.

“E kam njohur Dolcen edhe para Big Brother. Ajo që ka ndodhur brenda, lotët që i kam nxjerrë, kanë qenë lojë. Nuk kam pasur ndjenja për të”, tha Kuçi.

YOU MAY ALSO LIKE