Një moment gëzimi familjar është kthyer në tmerr gjatë drekës së Krishtlindjeve në një familje që po festonte në Settimo Torinese në Itali, ku një burrë 47-vjeçar, Giovanni Lopez, u mbyt aksidentalisht dhe humbi jetën pasi një kafshatë ushqimi i bllokoi rrugët e frymëmarrjes.
Ngjarja tronditëse ndodhi të enjten në drekë, teksa Lopez ishte mbledhur me të afërmit e tij në shtëpinë e prindërve, në lagjen Borgo Nuovo të Torinos. Një kafshatë, e cila sipas raportimit fillestar përfshinte fruta e panettone të Krishtlindjeve, i bllokoi rrugët e frymëmarrjes papritur.
Të afërmit u përpoqën menjëherë ta ndihmonin dhe telefonuan shërbimet emergjente. Pavarësisht përpjekjeve për ta ringjallur, 47-vjeçari ndërroi jetë para syve të familjes së tij. Ekipet e 118 mbërritën shpejt, por Lopez nuk arriti të mbijetojë dhe u shpall i vdekur në vend. Autoritetet lokale, përfshirë karabinierët dhe mjekun ligjor, konfirmuan se vdekja ishte si pasojë e mbytjes së shkaktuar nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes.
Ngjarja ka lënë familjen dhe të njohurit në gjendje shoku, duke u kthyer nga festa në një humbje të papritur dhe tragjike.

