Artistja e re kosovare Rinesa Qeriqi është ndarë nga jeta në moshën 25-vjeçare, pas një beteje të gjatë me tumorin në tru.
Lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur familjarët e saj, të cilët kanë ndarë edhe një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të dashurës së tyre.
“Mëngjesi i sotëm na erdhi pa ty, Rina jonë. Do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona, deri në përjetësi. Të duam fort, unë, mami, babi, Buna e Froni. Pusho e qetë, shpirti i bardhë”, shkruhet në mesazhin e familjes.
Rinesa, e njohur edhe me emrin artistik “Rinessance”, ishte një artiste e re në rritje, e cila prej kohësh po përballej me sëmundjen e rëndë.
Për të përballuar kostot e trajtimit mjekësor, ishte organizuar edhe një aktivitet për mbledhjen e fondeve, në përpjekje për ta ndihmuar gjatë kësaj beteje të vështirë.
Ndarja e saj e parakohshme nga jeta ka lënë pas dhimbje te familjarët dhe të afërmit, ndërsa mesazhi i tyre prekës përcjell dashurinë dhe mallin që do të mbetet përherë për Rinesën.

