Alaudin Hamiti pritet të moderojë i vetëm “Big Brother VIP Kosova”, zbulohen opinionistët dhe skuadra e “Big Talk”

Alaudin Hamiti pritet të moderojë i vetëm “Big Brother VIP Kosova”, zbulohen opinionistët dhe skuadra e “Big Talk”

Edicioni i ri i “Big Brother VIP Kosova” pritet të vijë me ndryshime të rëndësishme, jo vetëm në kastin e banorëve, por edhe në skuadrën televizive që do ta shoqërojë formatin.

Pas largimit të Jonida Vokshit, Alaudin Hamiti pritet ta drejtojë i vetëm spektaklin këtë sezon, pa një moderatore në krah. Kjo do të shënonte një formulë të re për BBVK, pas katër edicionesh ku Alaudini dhe Jonida ndanë së bashku moderimin.

Sipas burimeve të Vip Magazine, në panelin e opinionistëve do të ulen Rudina Dembacaj dhe Resul Sinani. Dy emra me profile të ndryshme, të cilët pritet të komentojnë lojën, përplasjet dhe marrëdhëniet që do të krijohen mes banorëve.

Rudina Dembacaj vjen pas një eksperience të gjatë në televizion, aktrim dhe moderim, ndërsa ky angazhim do ta vendoste për herë të parë në panelin e një reality show të përmasave të “Big Brother VIP”.

Ndërkohë, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të personazheve që mund të bëhen pjesë e shtëpisë. Sipas të njëjtave burime, Akil Varfi dhe Jona Krasniqi janë mes konkurrentëve të mundshëm të edicionit të ri.

Riformatim pritet të ketë edhe emisioni shoqërues “Big Talk”. Moderimi raportohet se do t’i besohet Loredana Bratit, e cila kalon kështu nga eksperienca si banore në “Big Brother VIP Albania” në një rol të ri televiziv.

Në panelin e “Big Talk” pritet të jenë Sara Kolami dhe Vlorjan Halili, të cilët do të analizojnë zhvillimet brenda shtëpisë dhe do të diskutojnë dinamikat më të komentuara të javës.

Nëse informacionet konfirmohen, skuadra e sezonit të ri do të përbëhet nga Alaudin Hamiti në drejtimin e spektaklit, Rudina Dembacaj dhe Resul Sinani si opinionistë, ndërsa Loredana Brati, Sara Kolami dhe Vlorjan Halili do të jenë pjesë e “Big Talk”.

Produksioni nuk i ka zyrtarizuar ende të gjithë emrat, ndaj mbetet për t’u parë nëse kjo do të jetë formula përfundimtare e edicionit të ri të “Big Brother VIP Kosova”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *