“Gjithë ditën kam pritur të vish…”/ Dedikimi rrëqethës i Selvije Jaos për Shpat Kasapin në ditëlindjen e saj

Një ditë që dikur ishte sinonim i festës dhe surprizave, këtë vit ka marrë një tjetër kuptim për Selvije Jaon. Bashkëshortja e të ndjerit Shpat Kasapi feston sot ditëlindjen e saj të parë pa këngëtarin pranë, ndërsa dedikimi që ajo ka bërë në rrjetet sociale është mjaft prekës.

Selvija është kthyer pas në kohë, duke publikuar një video nga një prej ditëlindjeve të kaluara, kur Shpat Kasapi kujdesej që dita e saj të ishte gjithmonë e veçantë.

Në mesazhin e saj, ajo kujton momentet e bukura, por edhe periudhat e vështira që kishin kaluar së bashku.

“Sado angazhime të kishe, sado momente të vështira të kishim kaluar, edhe kur jeta na sfidonte aq shumë, ti prapë nuk e harroje këtë ditë. Ti prapë dije si ta bëje ditën time festë”, shkruan ajo.

Por pjesa më prekëse e dedikimit është pritja e saj e pamundur që Shpati të kthehet sërish.

“E sot, gjithë ditën kam pritur të vish… Të hapet dera dhe të më thuash: ‘Surprizë, Selvooo… ishte thjesht një shaka e hidhur…’. Po ti nuk erdhe.”

Selvija tregon se, pavarësisht kohës që ka kaluar dhe realitetit të dhimbshëm me të cilin është përballur, mungesa e Shpatit vazhdon të jetë e pranishme në çdo moment.

Në ditëlindjen e saj, ajo ka folur edhe për dhimbjen që, sipas saj, shumë njerëz nuk arrijnë ta shohin.

“Sot të gjithë mund të më shohin të fortë. Të rregulluar. Të buzëqeshur. Të ‘prezantueshme’. Por askush nuk e di sa shumë jam duke vdekur përbrenda çdo ditë.”

Në fund të dedikimit, Selvija i drejtohet sërish bashkëshortit të saj me disa fjalë që prekin zemrën.

“Sot është ditëlindja ime, Shpat… Por pa ty, kjo ditë nuk është më si dikur. Më mungon më shumë se çdo fjalë që mund të shkruaj.”

Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, duke lënë pas bashkëshorten Selvije dhe djalin e tyre, Roelin. Që prej humbjes së tij, Selvija ka ndarë herë pas here kujtime dhe mesazhe prekëse për këngëtarin, duke treguar hapur mallin dhe boshllëkun që mungesa e tij ka lënë në jetën e saj.

Edhe në ditën që dikur pritej me festë, këtë herë një pjesë e zemrës së saj duket se ka mbetur duke pritur një surprizë që nuk do të vijë më.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *