Megi Pojani mund të jetë një nga surprizat e edicionit të ardhshëm të “Big Brother VIP Albania”. Emri i moderatores është përmendur së fundmi si një prej personazheve që mund t’i bashkohet shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Aludimi është bërë publik nga gazetari Elton Tozaj, i cili ka ndarë në InstaStory një fotografi të Megi Pojanit dhe ka shkruar: “Iku nga Për’puthen por shkon në Big Brother! Megi Pojani banore në BBVA”

Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar nga Megi Pojani apo produksioni i “Big Brother VIP Albania”, ndaj lajmi mbetet në kuadër të aludimeve. Megjithatë, nëse do të rezultonte i vërtetë, pjesëmarrja e saj do të përbënte një ndryshim të fortë në karrierën televizive.
Megi është një figurë e njohur për publikun shqiptar dhe ka eksperimentuar me disa prej formateve të rëndësishme televizive. Ajo ka qenë pjesë e “Dancing With the Stars”, ka moderuar “Big Brother VIP Fan Club” dhe më pas mori drejtimin e “Për’puthen”.
Tashmë, ideja për ta parë Pojanin jo pas ekranit, por brenda shtëpisë së “BBVA”, ka ngjallur kuriozitet te ndjekësit. Nëse ky aludim do të konfirmohej, publiku do të kishte mundësinë ta shihte moderatoren në një rol krejtësisht tjetër, këtë herë nën vëzhgimin e kamerave 24 orë në ditë.
Për momentin, mbetet për t’u parë nëse Megi Pojani do të jetë vërtet një nga banoret e edicionit të ardhshëm apo nëse bëhet fjalë vetëm për një tjetër emër të përfolur në rrjet.

