Ndryshime të mëdha priten në sezonin e ri të “Për’puthen”, i cili duket se do të vijë me një ekip tërësisht të rifreskuar dhe me rikthimin e një prej figurave më të njohura të historisë së programit.
Sipas burimeve të Kryefjala.com, Arjan Konomi pritet të rikthehet në “Për’puthen”, duke marrë sërish vendin e opinionistit, rol me të cilin u identifikua për disa sezone dhe u kthye në një nga personazhet më të komentuar të formatit.
Por rikthimi i Konomit nuk është i vetmi ndryshim që pritet në programin e dashurisë së Top Channel.
Sipas të njëjtave burime, Heidi Baci pritet të marrë rolin kryesor në drejtimin e “Për’puthen”, duke u vendosur në qendër të formatit për sezonin e ardhshëm.
Në panelin e opinionistëve pritet të bashkohet edhe Erjola Doçi, ndërsa një tjetër emër i njohur i ekranit, Ronaldo Sharka, pritet të jetë pjesë e projektit këtë herë në rolin e autorit.
Kështu, sezoni i ri i “Për’puthen” duket se do të vijë me një formulë të re, rikthime nostalgjike dhe emra të njohur për publikun.
Deri më tani, Top Channel nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për ekipin e ri, ndaj mbetet për t’u parë se kur do të prezantohen zyrtarisht ndryshimet dhe se çfarë surprizash të tjera rezervon sezoni i ardhshëm i “Për’puthen”.

