Reperi i njohur shqiptar Capital T ishte i pranishëm në tribunat e stadiumit Tehelné Pole në Bratislavë, ku ndoqi nga afër fitoren spektakolare të Kosovës ndaj Sllovakisë.
Përfaqësuesja e Kosovës triumfoi me rezultatin 4-2, duke hedhur një hap gjigant drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës. Ky sukses i çon “Dardanët” në finalen e play-off-it, vetëm një ndeshje larg realizimit të një ëndrre të madhe kombëtare.
Mes entuziazmit të jashtëzakonshëm, Capital T nuk ishte thjesht një tifoz në tribuna. Reperi u pa edhe në ambientet e brendshme të stadiumit, ku festoi nga afër me lojtarët në dhomat e zhveshjes, duke ndarë momente elektrizuese në rrjetet sociale.
Në një prej postimeve të tij, ai shkroi: “1 hap larg Kupës së Botës, kjo ndjenjë nuk përshkruhet”, duke reflektuar emocionin e madh që ka përfshirë jo vetëm ekipin, por edhe të gjithë tifozët shqiptarë.
Gjithashtu, artisti publikoi një foto me futbollistin Albian Hajdari, duke treguar afrimitetin dhe festën pas një prej fitoreve më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar.
Atmosfera pas ndeshjes ka qenë elektrizuese, ndërsa Kosova tashmë ndodhet vetëm një hap larg një arritjeje historike që do të shkruante emrin e saj në elitën e futbollit botëror.

