# Robert Pattinson drejt rolit të James Bond? Ylli i “Batman” kryen provat sekrete për agjentin 007

- Link: https://99lajme.com/robert-pattinson-drejt-rolit-te-james-bond-ylli-i-batman-kryen-provat-sekrete-per-agjentin-007/
- Published: 2026-11-09T10:01:03+01:00
- Author: red

Kërkimi për agjentin e ri 007 ka marrë një kthesë të papritur që po bën xhiron e
botës. Sipas raportimeve më të fundit nga mediat me prestigjioze në Hollywood, [Robert Pattinson](https://99lajme.com/tag/robert-pattinson/)
është i përzgjedhuri kryesor për të marrë stafetën e James Bond.

Aktori 39-vjeçar, i cili aktualisht mban mantelin e Batman në kinematografi, ka 
kryer testet kryesore të xhirimeve gjatë fundjavës së 24 tetorit, duke u bërë pretendenti
kryesor për rolin më të kërkuar në botën e filmit.

Lista e ngushtë: Kush janë rivalët e Pattinson?
 Pattinson nuk është emri i vetëm
në tavolinë. Gjatë provave sekrete janë testuar edhe disa nga aktorët më të kërkuar
të brezit të ri:

Nicholas Hoult – një rival i vjetër i Pattinson, i cili dikur ishte në balotazh 
me të edhe për rolin e Batman.

 * Callum Turner
 * Jack Lowden
 * Josh O’Connor

Çelësi i suksesit: Bashkëpunimi me Denis Villeneuve
 Një nga faktorët kryesorë që
e vendos Pattinson në avantazh është kimia e tij me regjisorin e ri të Bond, Denis
Villeneuve. Të dy kanë përfunduar së fundmi xhirimet e supersuksesit “Dune: Part
3”, ku bashkëpunimi i tyre cilësohet si i shkëlqyer nga stafi i prodhimit.

Pattinson po kalon periudhën më të ngarkuar të karrierës së tij. Përveç provave 
për Bond, ai po xhiron në Londër filmin “The Batman Part II”, si dhe është pjesë
e projekteve të mëdha si “The Odyssey” nga Christopher Nolan dhe filmi i ri i shtëpisë
kinematografike A24, “The Drama”.

## Një epokë e re për agjentin 007

Ky projekt shënon një kapitull krejtësisht të ri për frankizën. Është filmi i parë
i James Bond nën pronësinë e Amazon, e cila bleu të drejtat krijuese nga familja
ikonike Broccoli. Për të garantuar suksesin, Amazon ka angazhuar dy nga producentët
më të fuqishëm në industri: Amy Pascal (Spider-Man) dhe David Heyman (Harry Potter).

Kërkimi për Bond-in e ri vjen 21 vjet pasi Daniel Craig mori rolin për herë të parë
në tetor 2005, për t’u larguar pas 5 filmash me projektin “No Time to Die” në vitin
2021.

Edhe pse drejtuesit e Amazon kanë refuzuar të bëjnë komente zyrtare, provat e xhirimeve
tregojnë se zëvendësuesi i Daniel Craig është më afër se kurrë.
