# Ndryshojnë transfertat bankare në Shqipëri, paratë kalojnë në sekonda! Pa komision deri në 40 mijë lekë

- Link: https://99lajme.com/ndryshojne-transfertat-bankare-ne-shqiperi-parate-kalojne-ne-sekonda-pa-komision-deri-ne-40-mije-leke/
- Published: 2026-11-23T17:40:29+01:00
- Author: red

Një ndryshim i rëndësishëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset që përdorin shërbimet
bankare në Shqipëri. Duke nisur nga kjo e hënë, 23 nëntor, transfertat e parave 
brenda vendit mund të realizohen në kohë reale, pa qenë nevoja të pritet për orarin
e punës së bankave.

Banka e Shqipërisë ka vënë në funksion sistemin e ri të pagesave të menjëhershme
TIPS Clone, i cili mundëson transferimin e parave në lekë dhe euro, 24 orë në ditë
dhe 7 ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.

 jet.bank

 MERR **1,000 LEKË** DHURATË!

 REGJISTROHU ↗ SHKARKO APP ✦ FITO

Çfarë ndryshon për qytetarët?

Risia më e rëndësishme është se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të presin orë
apo ditë për përfundimin e transfertave bankare që realizohen përmes sistemit të
ri.

Për të dërguar para, mjafton të përdorin aplikacionin e bankës së tyre dhe të zgjedhin
opsionin e transfertës së menjëhershme, kur ky shërbim është i disponueshëm.

Një tjetër përfitim është se transfertat deri në 40 mijë lekë, të kryera përmes 
aplikacionit bankar, ofrohen pa komision.

Kjo do të thotë se dërgimi i parave te familjarët, pagesat për shërbime apo transfertat
e përditshme mund të kryhen shumë më shpejt dhe me kosto më të ulët.

Sejko: Mbi 400 milionë euro kursime për ekonominë shqiptare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e cilësoi nisjen e sistemit si një
hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve financiare dhe përafrimit me
standardet e Bashkimit Europian.

“Sot do të shkojmë online me sistemin TIPS Clone. Është sistem i pagesave të menjëhershme
në euro dhe lekë që do të kryhen brenda vendit, në 24 orë dhe në 7 ditë të javës”,
deklaroi Sejko.

Sipas guvernatorit, zgjerimi i përdorimit të pagesave elektronike pritet të sjellë
përfitime të konsiderueshme për ekonominë shqiptare, me kursime të mundshme që vlerësohen
në mbi 400 milionë euro.

Sejko theksoi gjithashtu se sistemi i ri e afron Shqipërinë me standardet moderne
të pagesave që aplikohen në vendet e Bashkimit Europian.

Për qytetarët dhe bizneset shqiptare, kjo nënkupton më pak pritje, transferta më
të shpejta dhe një hap tjetër drejt përdorimit të shërbimeve bankare digjitale.
