# Momente tmerri për familjen e aktorit të njohur, bashkëshortja dhe vajza 4-muajshe përfshihen në aksident

- Link: https://99lajme.com/momente-tmerri-per-familjen-e-aktorit-te-njohur-bashkeshortja-dhe-vajza-4-muajshe-perfshihen-ne-aksident/
- Published: 2026-11-23T14:48:26+01:00
- Author: K

Një aksident i frikshëm automobilistik ka përfshirë gazetaren dhe prezantuesen turke
Merve Dinçkol Şerifoğlu, bashkëshorten e aktorit Feyyaz Şerifoğlu, vajzën e tyre
vetëm 4-muajshe, Defne Yaz, si dhe kujdestaren e vogëlushes.

Ngjarja ka ndodhur në autostradën TEM në Stamboll, ku automjeti me të cilin udhëtonin
është goditur nga pas nga një kamion. Përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar
dëme të konsiderueshme materiale në makinë, duke krijuar momente paniku për personat
që ndodheshin brenda saj.

Pas aksidentit, Merve, vajza e saj dhe kujdestarja janë transportuar në spital për
të kryer kontrollet e nevojshme mjekësore. Fatmirësisht, të tria kanë shpëtuar me
lëndime të lehta dhe, pas ekzaminimeve, janë larguar nga spitali për t’u kthyer 
në shtëpi.

Sipas informacioneve të bëra publike, fakti që të gjithë personat në automjet kishin
vendosur rripat e sigurimit ka qenë një element i rëndësishëm në shmangien e pasojave
më të rënda.

**Feyyaz Şerifoğlu u nis menjëherë drejt Stambollit**

Në momentin kur ndodhi aksidenti, aktori Feyyaz Şerifoğlu ndodhej në Rize. Sapo 
mori lajmin për ngjarjen, ai u nis drejt Stambollit me fluturimin e parë të mundshëm,
për të qenë pranë bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Fakti që Merve, vogëlushja Defne Yaz dhe kujdestarja ndodheshin jashtë rrezikut 
dhe kishin shpëtuar me lëndime të lehta ishte lehtësimi më i madh për aktorin dhe
familjen e tij.

Feyyaz Şerifoğlu dhe Merve Dinçkol Şerifoğlu kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë
në muajin qershor të këtij viti, ndërsa në korrik u bënë prindër për herë të parë,
me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Defne Yaz.

Fatmirësisht, aksidenti nuk pati pasoja të rënda për familjen, ndërsa të treja të
përfshirat në ngjarje janë tashmë në shtëpi.
