# Lotët e fundit të Cristiano Ronaldos në Botëror! Portugalia eliminohet nga Spanja, mbyllet një epokë

- Link: https://99lajme.com/lotet-e-fundit-te-cristiano-ronaldos-ne-boteror-portugalia-eliminohet-nga-spanja-mbyllet-nje-epoke/
- Published: 2026-07-07T01:12:03+02:00
- Author: K

Ëndrra e Cristiano Ronaldos për ta mbyllur karrierën në Kupën e Botës me një tjetër
kapitull historik mori fund në mënyrën më të dhimbshme. Portugalia u eliminua në
fazën e 1/8-ave nga Spanja pas humbjes 1-0, në një ndeshje dramatike që vulosi edhe
paraqitjen e fundit të 41-vjeçarit në një Botëror.

Pak para sfidës, Ronaldo kishte konfirmuar se ky do të ishte Botërori i tij i gjashtë
dhe i fundit, duke shprehur dëshirën që të mos ishte ndeshja e fundit e aventurës
së tij. Megjithatë, fati kishte rezervuar një fund të hidhur për legjendën portugeze.

 jet.bank

 MERR **1,000 LEKË** DHURATË!

 REGJISTROHU ↗ SHKARKO APP ✦ FITO

Ronaldo ishte pranë golit në pjesën e parë, por portieri spanjoll Unai Simón realizoi
një pritje spektakolare, duke i mohuar atë që mund të kishte ndryshuar historinë
e takimit. Sulmuesi provoi tri herë drejt portës, dy prej të cilave në kuadrat, 
por nuk arriti të mposhtte gardianin e Spanjës.

Goli që vendosi gjithçka erdhi në minutat shtesë të pjesës së dytë. Mikel Merino
përfitoi nga një moment hutimi në mbrojtjen portugeze pas një goditjeje të shpejtë
dënimi dhe shënoi golin e vetëm të ndeshjes, duke i siguruar Spanjës kualifikimin
në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e çiftit SHBA-Belgjikë.

Në vërshëllimën e fundit, kamerat u fokusuan te Cristiano Ronaldo. Me sytë e mbushur
me lot, ai u largua nga fusha mes duartrokitjeve të tifozëve, duke përshëndetur 
shkurtimisht tribunat. Ishte fundi i një epoke për një nga futbollistët më të mëdhenj
të historisë.

Ronaldo largohet nga skena e Botërorit me rekorde që vështirë se do të thyhen: ai
mbetet lojtari i vetëm që ka shënuar në gjashtë Kupa Bote radhazi, si edhe golashënuesi
më i mirë në historinë e kombëtareve me 146 gola dhe futbollisti me më shumë paraqitje
ndërkombëtare, plot 233.

Edhe pse nuk arriti kurrë të ngrejë trofeun e Kupës së Botës, Cristiano Ronaldo 
mbyll një karrierë legjendare në turneun më të madh të futbollit, duke lënë pas 
një trashëgimi që do të kujtohet për breza të tërë.
