# Humb jetën në moshë të re aktorja e “Rebelde”, familja zbulon betejën e saj të fundit

- Link: https://99lajme.com/humb-jeten-ne-moshe-te-re-aktorja-e-rebelde-familja-zbulon-betejen-e-saj-te-fundit/
- Published: 2026-10-20T13:01:59+02:00
- Author: K

Aktorja dhe këngëtarja braziliane Lua Blanco, e cila u bë e njohur për publikun 
përmes rolit të Robertës në serialin “Rebelde Brazil”, është ndarë nga jeta në moshën
39-vjeçare. Artistja vuante nga kanceri, me të cilin ishte përballur gjatë muajve
të fundit të jetës.

Lajmi u bë i ditur nga familja e saj përmes një deklarate në rrjetet sociale, ndërsa
vëllai i aktores, Daniel Blanco, ndau një mesazh prekës për humbjen e së motrës.

 jet.bank

 MERR **1,000 LEKË** DHURATË!

 REGJISTROHU ↗ SHKARKO APP ✦ FITO

Ai bëri të ditur se Lua i kaloi ditët e fundit e rrethuar nga dashuria e familjarëve
dhe miqve të saj, duke u larguar nga kjo jetë në paqe.

“Ajo u largua e rrethuar nga dashuria dhe me besimin e plotë se po shkonte drejt
duarve të Zotit. Do të jetë përgjithmonë me ne, duke na ndriçuar me dritën e saj
të përjetshme”, shkroi Daniel.

Edhe motra e saj, Ana Terra, reagoi pas lajmit të trishtë, duke ndarë dhimbjen për
humbjen e artistes. “Jeta është e shkurtër. Të dua, motër. Do të mbetesh përgjithmonë
me ne”, shkroi ajo.

Lajmi ka prekur edhe personazhe të njohur të ekranit brazilian, të cilët kanë shprehur
ngushëllimet e tyre për familjen e Lua Blancos.

E lindur më 5 mars 1987 në São Paulo, Lua Blanco nisi të tërhiqte vëmendjen e publikut
përmes roleve në produksione të ndryshme televizive. Megjithatë, ishte personazhi
i Robertës në serialin “Rebelde Brazil”, në vitin 2011, ai që i dha famë të madhe
dhe e bëri të njohur për një numër të gjerë shikuesish.

Gjatë karrierës së saj, ajo u shfaq edhe në serialet “Malhação”, “Três Irmãs”, “
Pecado Mortal” dhe “A Força do Querer”. Krahas aktrimit, Lua ishte e angazhuar në
muzikë si këngëtare dhe kompozitore, si dhe në shkrim.

Me kalimin e viteve, artistja vendosi t’i kushtonte më shumë kohë karrierës muzikore,
duke u tërhequr pjesërisht nga telenovelat.

Lamtumira për Lua Blanco do të mbahet në Rio de Janeiro, ndërsa fansat do ta kujtojnë
përmes personazheve që interpretoi dhe veçanërisht si Roberta, një nga figurat më
të spikatura të “Rebelde Brazil”.
