# Futbolli në zi, ndahet nga jeta tragjikisht në moshën 25-vjeçare ylli i Afrikës së Jugut

- Link: https://99lajme.com/futbolli-ne-zi-ndahet-nga-jeta-tragjikisht-ne-moshen-25-vjecare-ylli-i-afrikes-se-jugut/
- Published: 2026-07-13T15:09:28+02:00
- Author: K

Bota e futbollit është tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e mesfushorit
të Mamelodi Sundowns dhe kombëtares së Afrikës së Jugut, Jayden Adams. Futbollisti
ishte vetëm 25 vjeç dhe kishte përfaqësuar vendin e tij në Kupën e Botës 2026 vetëm
pak javë më parë.

Lajmi i rëndë u konfirmua nga ministri i Sportit, Artit dhe Kulturës në Afrikën 
e Jugut, Gayton McKenzie, i cili e cilësoi humbjen e Adams si një goditje të madhe
për futbollin e vendit.

“Futbolli i Afrikës së Jugut ka humbur një nga talentet e tij më të ndritur. Kombi
ynë është në zi së bashku me familjen, shokët e skuadrës dhe miliona tifozët që 
e panë të rritej nga një lojtar premtues në një futbollist të kombëtares”, u shpreh
McKenzie.

Shkaqet e vdekjes së 25-vjeçarit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet kanë 
nisur hetimet, ndërsa ministri u bëri thirrje mediave dhe publikut të mos përhapin
spekulime dhe të respektojnë privatësinë e familjes së lojtarit.

Adams ishte aktivizuar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve të Afrikës së Jugut
në Kupën e Botës 2026. Ai luajti edhe në barazimin 1-1 ndaj Republikës Çeke, vetëm
një ditë pasi kishte mësuar lajmin për ndarjen nga jeta të gjyshes së tij.

Mesfushori ishte gjithashtu pjesë e fitores 1-0 ndaj Koresë së Jugut, rezultat që
i siguroi Afrikës së Jugut për herë të parë një vend në fazën me eliminim direkt.
Udhëtimi i kombëtares u ndërpre më pas pas humbjes ndaj Kanadasë.

Edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë të Afrikës së Jugut reagoi pas lajmit,
duke u shprehur e shkatërruar nga humbja e tij.

“Jayden përfaqësoi së fundmi Afrikën e Jugut në Kupën e Botës, duke mbajtur mbi 
supe shpresat e një kombi me krenari dhe guxim. Futbolli ka humbur një lojtar të
talentuar dhe një të ri që kishte ende shumë për të dhënë”, thuhej në reagim.
