# Është nënë dhe e martuar, Jennifer Barreto bën histori në Miss Universe 2026

- Link: https://99lajme.com/eshte-nene-dhe-e-martuar-jennifer-barreto-ben-histori-ne-miss-universe-2026/
- Published: 2026-11-25T15:14:21+01:00
- Author: K

Një kurorë, një rekord i ri dhe një histori që shkon përtej bukurisë. Jennifer Barreto
është emri që do të mbahet mend nga edicioni i 75-të i Miss Universe, pasi 27-vjeçarja
nga Porto Riko arriti të fitojë kompeticionin, duke u bërë gruaja e parë e martuar
dhe nënë që merr këtë titull.

Fitorja e saj vjen në një edicion ku konkurruan 116 përfaqësuese nga vende të ndryshme
të botës, ndërsa finalja u zhvillua në San Juan të Porto Rikos. Përveç suksesit 
personal, Barreto i dhuroi vendit të saj një tjetër moment krenarie, duke rikthyer
kurorën pas 20 vitesh. Hera e fundit që Porto Riko kishte triumfuar në këtë kompeticion
ishte në vitin 2006, me Zuleyka Rivera.

 jet.bank

 MERR **1,000 LEKË** DHURATË!

 REGJISTROHU ↗ SHKARKO APP ✦ FITO

Rrugëtimi i Jennifer drejt këtij suksesi është i veçantë edhe për jetën që ajo ka
ndërtuar jashtë skenës. Bukuroshja është e martuar me Yan Carlos Barreto Calderon,
pjesëtar i ushtrisë amerikane, dhe ka një vajzë 7-vjeçare, Penelope. Ajo është gjithashtu
e diplomuar në nivel masteri në dy fusha, psikologji dhe punë sociale klinike.

Karriera e saj profesionale është përqendruar te ndihma për njerëzit në nevojë. 
Prej vitit 2021, Jennifer ka punuar në një program të ushtrisë amerikane në Fort
Cavazos, Teksas, ku është marrë me mbështetjen e familjeve ushtarake, parandalimin
e dhunës në familje dhe mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi. Përvoja në këtë fushë 
e ka ndihmuar të ndërtojë edhe vizionin që dëshiron të përcjellë përmes titullit
të ri.

Gjatë pjesëmarrjes në konkurs, ajo ka treguar se synon ta shfrytëzojë vëmendjen 
ndërkombëtare për të promovuar çështje sociale dhe për të zgjeruar punën e saj në
ndihmë të komuniteteve. Në përgjigjet e dhëna gjatë finales, Barreto foli edhe për
sfidat që sjell zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke nënvizuar se përdorimi
i saj duhet të jetë i përgjegjshëm dhe se vlerat njerëzore duhet të mbeten gjithmonë
në plan të parë.

Një tjetër mesazh i saj iu drejtua grave, të cilat i inkurajoi të mos kufizohen 
nga pritshmëritë e të tjerëve dhe të mos heqin dorë nga asnjë pjesë e identitetit
të tyre për t’iu përshtatur një modeli të caktuar.

Ndërkohë, pas Jennifer Barreto, në renditjen përfundimtare u pozicionua Melissa 
Nunez nga Republika Dominikane, e ndjekur nga Clara Vegas e Venezuelës. Kurora e
re iu dorëzua nga fituesja e vitit të kaluar, Fatima Bosch nga Meksika.

Me këtë rezultat, Porto Riko numëron tashmë gjashtë fitore në historinë e Miss Universe,
duke iu shtuar listës së fitueseve emri i Jennifer Barreto.
