# Epoka e Sylvinhos drejt fundit, humbja ndaj Polonisë mbyll ciklin kuqezi

- Link: https://99lajme.com/epoka-e-sylvinhos-drejt-fundit-humbja-ndaj-polonise-mbyll-ciklin-kuqezi/
- Published: 2026-03-28T19:44:00+01:00
- Author: red

Humbja 2–1 përballë Polonisë në stadiumin e Varshavës duket se ka vulosur fatin 
e trajnerit Sylvinho në krye të Kombëtares shqiptare. Edhe pse kontrata e tij zyrtarisht
përfundon në korrik, gjithçka lë të kuptohet se rrugëtimi i brazilianit në stolin
kuqezi ka hyrë në fazën e fundit.

Disfata në një ndeshje vendimtare për ëndrrën e Botërorit 2026 jo vetëm që i dha
fund shpresave për kualifikim, por njëkohësisht shënoi edhe mbylljen e një cikli
që nisi me shumë pritshmëri në fillim të vitit 2023.

**Sylvinho** mori drejtimin e ekipit kombëtar në një moment delikat dhe arriti të
rikthejë entuziazmin, duke kulmuar me kualifikimin historik në Kampionatin Europian“
Gjermani 2024”, suksesi më i madh i tij në krye të kuqezinjve. Pikërisht kjo arritje
bëri që Federata Shqiptare e Futbollit t’i besonte vazhdimësinë, duke i zgjatur 
kontratën me 6 muaj, me synimin e qartë për të tentuar një biletë në Botëror.

Megjithatë, eliminimi nga gara pas humbjes ndaj Polonisë ka ndryshuar gjithçka. 
Një tjetër rinovim tashmë duket i pamundur dhe largimi i tij konsiderohet vetëm 
çështje kohe.

Trajneri brazilian pritet të drejtojë skuadrën edhe në sfidën e radhës ndaj Ukrainës,
më 31 mars, një ndeshje që nuk pritet të ndikojë në të ardhmen e tij. Ndërkohë, 
në muajin qershor Kombëtarja shqiptare ka në program edhe dy ndeshje miqësore, të
cilat pritet të jenë të fundit për Sylvinhon në pankinën kuqezi.

Sinjalet për largimin i ka dhënë edhe vetë tekniku në konferencën për shtyp pas 
ndeshjes në Varshavë, duke lënë të hapur mundësinë e një fundi të afërt të bashkëpunimit.

Federata Shqiptare e Futbollit pritet të nisë së shpejti kërkimet për një trajner
të ri, i cili do të marrë drejtimin e ekipit me objektivin për të ndërtuar një projekt
afatgjatë dhe për t’u përgatitur për eliminatoret e Kampionatit Europian 2028.

Pavarësisht fundit të hidhur në këto kualifikuese, periudha e Sylvinhos do të mbahet
mend për rritjen e ndjeshme të imazhit të Kombëtares dhe suksesin në arenën europiane.
Megjithatë, objektivi i madh – kualifikimi në Kupën e Botës – mbetet ende një sfidë
e parealizuar për Shqipërinë.
