# “Çifti me jetë të lumtur” u bëri gjëmën! Si u zbuluan grabitësit e 43 mijë €

- Link: https://99lajme.com/cifti-me-jete-te-lumtur-u-beri-gjemen-si-u-zbuluan-grabitesit-e-43-mije-e/
- Published: 2026-11-23T18:44:04+01:00
- Author: red

Një shirit dekorativ që përdoret zakonisht në makinat e dasmave është kthyer në 
provën që ndihmoi hetuesit të zbulonin autorët e dyshuar të një vjedhjeje në Ballsh.

Bëhet fjalë për grabitjen e ndodhur më 26 mars, ku nga një agjenci udhëtimi dhe 
këmbimi valutor u morën rreth 43 mijë euro dhe 1 milion lekë.

 jet.bank

 MERR **1,000 LEKË** DHURATË!

 REGJISTROHU ↗ SHKARKO APP ✦ FITO

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, tre persona dyshohet
se kishin përgatitur një plan për të marrë paratë dhe për të fshehur gjurmët.

### Si ndodhi vjedhja?

Gjithçka ndodhi rreth orës 16:17, kur punonjësi i agjencisë, Ferat Shehaj, la për
pak çaste një çantë me para mbi tavolinë dhe doli për të marrë makinën e tij.

Në atë moment, një person i veshur me të zeza, me kapuç dhe doreza, hyri në ambientet
e agjencisë dhe mori çantën ku ndodheshin 38 mijë euro, 4 mijë paund dhe rreth 1
milion lekë.

Autori u largua menjëherë, pa kontrolluar sendet e tjera. Kjo ngriti dyshime se 
ai e dinte saktësisht ku ndodheshin paratë.

Shiriti i dasmave që zbuloi makinën

Pas vjedhjes, autori u largua me një Audi të zi, targat e të cilit ishin mbuluar
me një shirit të kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur”.

Pikërisht ky detaj u bë vendimtar për hetuesit.

Policia kontrolloi kamerat e sigurisë në disa biznese dhe zbuloi se, vetëm pak orë
përpara ngjarjes, një nga të dyshuarit kishte blerë të njëjtin shirit në një dyqan
lulesh në Fier.

Pamjet filmike ndihmuan në identifikimin e automjetit dhe rindërtimin e lëvizjeve
të personave të dyshuar.

Morën edhe një makinë me qira për të krijuar alibi

Sipas Prokurorisë, tre të dyshuarit kishin siguruar edhe një automjet Honda Jazz
të zezë me qira në Fier.

Hetuesit dyshojnë se kjo makinë është përdorur për të krijuar një alibi dhe për 
të fshehur lëvizjet e personit që kreu vjedhjen.

Përmes kamerave të sigurisë dhe të dhënave GPS, Prokuroria ka rindërtuar lëvizjet
e tyre përpara dhe pas ngjarjes.

Tre persona dërgohen për gjykim

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka kërkuar dërgimin për gjykim të 
Gëzim Fejzullës, Anna Meissane Boudiaf dhe Arsen (Odise) Saliajt.

Ata akuzohen për vjedhje në bashkëpunim me pasojë të rëndë, ndërsa sipas hetuesve
kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e saj.

Tashmë çështja i ka kaluar gjykatës, e cila do të vendosë për përgjegjësinë penale
të të akuzuarve.
