# Can Yaman surprizon ndjekësit, ndan videon me flamurin shqiptar para premierës së “El Turco”

- Link: https://99lajme.com/can-yaman-surprizon-ndjekesit-ndan-videon-me-flamurin-shqiptar-para-premieres-se-el-turco/
- Published: 2026-11-23T09:24:41+01:00
- Author: red

Aktori i njohur turk, [Can Yaman](https://99lajme.com/tag/can-yaman/), u rikthye
mbrëmjen e djeshme në ekranet shqiptare me superprodhimin historik “[El Turco](https://99lajme.com/tag/can-yaman/)”,
i cili nisi transmetimin të dielën, më 22 nëntor në RTSH.

Pak para premierës, Yaman ndau me miliona ndjekësit e tij në Instagram një video
promocionale nga prezantimi i serialit për publikun shqiptar. Në pamjet e ripostuara
në Story nga llogaria zyrtare e aktorit, drejtuesi i programeve, Klajd Gorica, prezanton
rolin e tij të ri, ndërsa mbi video spikasin flamuri kuqezi dhe mbishkrimi “Albania”.
Postimi fillestar i fan-faqes e cilësonte këtë prezantim si “të shkëlqyer”.

### Një transformim drastik i aktorit

I njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar falë roleve në komeditë romantike“
Dolunay” dhe “Erkenci Kuş”, këtë herë Can Yaman vjen në një profil krejtësisht tjetër.
Ai interpreton figurën e Hasan Balabanit, një ushtar jeniçer osman i plagosur gjatë
rrethimit të Vjenës në vitin 1683.

Duke i shpëtuar vdekjes, Balabani gjen strehë në Moena, një fshat i izoluar në Alpet
italiane. Edhe pse mbërrin atje si i huaj dhe merr nofkën “El Turco”, ai fiton besimin
e vendasve dhe kthehet në mbrojtësin e tyre kryesor kundër padrejtësive të feudalëve.

## Detajet e prodhimit

**Formati**: Mini-serial me 6 episode, transmetimi i të cilit nisi me dy episodet
e para të dielën, në orën 20:35.

**Produksioni:** Realizuar nga kompania e njohur turke “Ay Yapım”, bazuar në ngjarje
të vërteta historike.

**Kasti dhe xhirimet:** Ndonëse ngjarjet vendosen në Alpet italiane, xhirimet janë
realizuar në Hungari me një kast ndërkombëtar aktorësh që interpretojnë në gjuhën
angleze.
