# Can Yaman habit fansat, zbulon origjinën shqiptare: Gjyshërit e mi flisnin shqip

- Link: https://99lajme.com/can-yaman-habit-fansat-zbulon-origjinen-shqiptare-gjysherit-e-mi-flisnin-shqip/
- Published: 2026-05-18T11:37:28+02:00
- Author: red

## Can Yaman zbulon origjinën shqiptare, aktori turk rrëfen emocionueshëm historinë e familjes së tij

Aktori i njohur turk Can Yaman ka zbuluar për herë të parë publikisht origjinën 
e tij shqiptare gjatë një eventi të veçantë të mbajtur në Piana degli Albanesi, 
e njohur ndryshe si Hora e Arbëreshëve, një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit
arbëresh në Itali.

Protagonisti i serialit të ri Sandokan ishte i ftuari special i festivalit, ku mori
edhe vlerësimin simbolik “Premio Hora Skanderbeg”, si shenjë e lidhjes së tij me
kulturën shqiptare dhe ndikimit që ka tek publiku arbëresh.

Në një intervistë për mediat italiane, Can Yaman tregoi se nëna e tij është nga 
Kosova, ndërsa babai i tij vjen nga diaspora shqiptare që u vendos në Turqi shumë
vite më parë.

“U rrita në Suadiye, një lagje banimi në anën aziatike të qytetit, me fusha futbolli
dhe basketbolli për djem. Është një zonë e banuar nga emigrantë të gjeneratës së
dytë dhe të tretë, si gjyshërit e mi me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët
kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata flisnin shqip mes tyre”, u shpreh aktori.

Atmosfera u bë edhe më emocionuese kur Yaman ndau kujtime personale për babain e
tij, të cilin e quajti “idhulli më i madh” në jetën e tij.

“Babai im më tregonte për fëmijërinë e tij, që e jetonte si një shqiptar, me shumë
liri dhe duke u rritur mes shoqërisë”, tha aktori mes emocionesh, ndërsa publiku
e priti me duartrokitje të gjata.

Deklarata e Can Yaman ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, sidomos 
mes fansave shqiptarë dhe komunitetit arbëresh, të cilët e cilësuan këtë moment 
si një nga më prekësit e festivalit.
