# Butrint Imeri rrëfehet për dashurinë: Kam humbur shumë kohë me personin e gabuar

- Link: https://99lajme.com/butrint-imeri-rrefehet-per-dashurine-kam-humbur-shume-kohe-me-personin-e-gabuar/
- Published: 2026-07-10T19:30:00+02:00
- Author: K

Butrint Imeri ka zgjedhur të flasë më hapur se zakonisht në një intervistë për emisionin“
Andale”, ku, përveç suksesit të albumit të tij të ri “I Pari”, ndau edhe mendime
personale për dashurinë, marrëdhëniet dhe jetën larg skenës.
Artisti foli fillimisht
për surprizën që organizoi me rastin e ditëlindjes së tij, ku dhuroi një çmim prej
100 mijë eurosh për fituesit e një sfide në TikTok. Çmimi shkoi për çiftin Bleoni
dhe Laurita, të cilët triumfuan me videon që grumbulloi më shumë pëlqime duke përdorur
një nga këngët e albumit të tij.Sipas Butrintit, ideja për këtë shpërblim lindi 
në bashkëpunim me ekipin e tij dhe ishte një mënyrë për t’i falënderuar fansat për
mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.Më pas, biseda u zhvendos te jeta e tij private.
I pyetur se çfarë do të thotë dashuria për të, këngëtari u shpreh se një lidhje 
e shëndetshme duhet të ndërtohet mbi respektin, mirëkuptimin dhe vlerësimin reciprok.

Ai pranoi se fama nuk e ka bërë më të lehtë jetën sentimentale. Sipas tij, koncertet,
angazhimet e shumta dhe ekspozimi publik shpesh ndikojnë negativisht në krijimin
dhe ruajtjen e një marrëdhënieje të sinqertë.

Kur u pyet se çfarë e tërheq më shumë te një vajzë, Butrinti tha se, përtej paraqitjes,
janë sytë ata që i tërheqin vëmendjen më shumë, pasi beson se shumë emocione mund
të shprehen vetëm përmes tyre.

Artisti foli edhe për të kaluarën, duke pranuar se gabimi më i madh në dashuri ka
qenë fakti që ka investuar shumë kohë në një person të gabuar. Ai shtoi se fundi
i një marrëdhënieje është shpesh tregues se ajo nuk ishte e duhura.

Sot, sipas tij, vendimet në dashuri nuk i merr më vetëm me zemër. Ai tha se është
bërë më racional dhe se besimi, respekti dhe intuita janë elementët që i konsideron
më të rëndësishëm në një lidhje.

Në fund të intervistës, Butrinti u pyet se për çfarë do të ishte i gatshëm të sakrifikonte
në emër të dashurisë. Ai u përgjigj se mund të hiqte dorë nga shumë gjëra që i pëlqejnë,
por jo nga muzika, duke e bërë të qartë se ajo mbetet pjesë e pandashme e jetës 
së tij.
